Detaje të reja: Lëndohet një zyrtar, krejt çka dihet për rastin ku policia shtiu me armë ndaj një veture me targa serbe

Ndryshe prej asaj që iu tha mediave, Policia e Kosovës tashmë ka konfirmuar që një zyrtar policor është lënduar në Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, në tentim për ta ndalur në veturë të dyshuar.

Në komunikatën e fundit për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur fillimisht se në tentim për ta ndalur veturën, i dyshuari ka goditur një zyrtar policor dhe një veturë të Policisë.

Kështu, policia është detyruar që të shtie me zjarr në drejtim të veturës.

“Të ndodhur në këtë situatë kur seriozisht ishte e rrezikuar jeta e zyrtarëve policorë, zyrtarët për të mbrojtur jetën dhe vënë situatën nën kontroll, janë detyruat të përdorin armët e zjarrit. Gjatë zhvillimeve në këtë situatë një polic është lënduar (goditur nga vetura), kurse gjatë përdorimit të armëve nuk ka të dhëna për persona të lënduar.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, më herët, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani i tha Nacionales se nuk ka të lënduar nga ky rast.

“Rreth ores 12 e 40 në Suhodoll derisa policia kishte bërë përpjekje për të ndaluar një veturë e cila dyshohej se kishte narkotik, i njëjti e ka godit me veturë policin i cili ishte në këmbë e poashtu edhe veturën e policisë. Në përpjekje për të larguar sulmin nga vetja, policia ka shtënë me armë zjarri por nuk ka të lënduar. Personi i dyshimtë ka lënë veturën në vend të ngjarjes dhe ka ik në këmbë.” – na tha ai.

Ndërohë, detaje të reja të dhëna nga Policia janë se i dyshuari ka arritur të dalë nga vetura dhe të ikë në drejtim të panjohur.

Në veturë ndërkaq, pas kontrollit janë gjetur lëndë narkotike.

“Drejtuesi i automjetit (i dyshuari), ka arritur që të dalë nga vetura dhe të ikë në drejtim të panjohur. Në veturë është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë (1,5 deri në 2 kg). Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kane dalë në vendin e ngjarjes.” – bën të ditur policia.

Në fund të komunikatës së policisë, thuhet si vijon:

“Policia janë duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndermirën veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar.”

Ndërohë, Klan Kosova ka siguruar pamjet e veturës ndaj së cilës Policia e Kosovës shtiu sot, krejt kjo, pasi në tentim për ta ndalur shoferin e saj nën dyshimet për narkotikë, shkeli një prej zyrtarëve policorë.

Siç shihet nga pamjet, vetura është me targa civile të Novi Pazarit.