Drashkoviç: Në vend të sanksioneve, më mirë Evropa t’i kërkojë Serbisë t’i hapë dosjet e UDB-së

Vuk Drashkoviç, ish-zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka sugjeruar që ne vend të sanksioneve të mundshme ndaj Serbisë, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, do të ishte më mirë që ndërkombëtarët t’i bënin presion që t’i hapë dosjet e shërbimit sekret famëkeq serb “UDB”.

Këto komente ai i ka bërë në një intervistë për “The Geopost”, pasi që ka vlerësuar se çfarë do lloj sanksionesh ndaj Beogradit “nuk do ta bënin atë të kuptojë”.

“Nëse ka të tilla, do të jenë shumë sipërfaqësore dhe simbolike, qeveria dhe regjimi as që do të shqetësohen”, ka thënë Drashkoviç.

Pra, në vend të kësaj, ai kërkon që përfundimisht Serbia të përballet me të vërtetën, dhe kjo do të bëhej më së miri nëse hapen dosjet e UDB-së.

“Të kërkosh përfundimisht që Serbia të përballet me të vërtetën, dhe nuk mund të përballet me të vërtetën pa hapur dosjet sekrete të UDBA-së, pa lustruar shërbimet e sigurisë, nuk e di më nëse janë serbë apo rusë, largimi nga ato shërbime i të gjithë atyre që kanë lidhje me vrasës, me mafioz, me shërbimin rus mbi të gjitha, dhe miratimi i një ligji të ngjashëm me ligjin e miratuar nga Gjermania kur hapi dosjet sekrete të Stasit [shërbimi sekret gjerman] dhe hapi derën për shërimin e popullit gjerman”, shtoi.

Sipas shkrimtarit serb, njerëzit në Serbi janë “pengje” të UDB-së dhe se “hidra e tmerrshme që është fjalë për fjalë në çdo pore të jetës në Serbi”.

“Ajo [UDB-a] ka oficerët e saj, njerëzit e saj në gjyqësor, në qeveri, në parlament, në Akademinë e Shkencave, në media dhe po kryen një krim moral ndaj popullit serb”.

Sa i përket gjykimit të mundshëm të kryekriminelit Milan Radojiçiç – i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit – Drashkoviç ka ironizuar duke thënë se ai mund të gjykohet përfundimisht për shkelje të trafikut.

“Ai nuk do të gjykohet për gjënë thelbësore për të cilën duhet të gjykohet – pushtimi i territorit të një vendi tjetër me një formacion të armatosur, me një arsenal armësh për disa qindra njerëz”, pohon.

Politikani serb është i mendimit që për rastin në Banjë, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë Heroi, Afrim Bunjaku, duhet që të bëhet një hetim ndërkombëtar dhe “ai duhet të jetë i shpejtë”.

“Këtu në Beograd thonë se ajo që po hetojnë shqiptarët është e pavërtetë, shqiptarët thonë se ajo që gjoja po hetojnë në Beograd është e pavërtetë. Prandaj, KFOR-i dhe EULEX-i le ta kryejnë këtë hetim shpejt dhe me vendosmëri”, vlerëson.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes së Federatës Ruse në këtë ngjarje, Drashkoviç potencoi se “nuk mund ta shfajësojmë askënd që është kreu i shtetit të Serbisë”.

“Nëse do të isha kreu i shtetit të Serbisë dhe shërbimi rus do të vepronte në Serbi dhe nëse, për shembull, grupi Wagner [mercenarët rusë] mund të mobilizonin njerëzit në Serbi dhe të krijonin kampe trajnimi ushtarak në Serbi, pavarësisht nëse e dija apo jo, do të të ishte përgjegjësia ime”, shtoi.