E rëndë në Himarë: U hodhën nga shkëmbi në det, dëmtohen dy të miturit, njëri niset me helikopter drejt Tiranës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Himarë, ku dy pushues të mitur janë lënduar.

Mësohet se dy të adoleshentët 16 dhe 17 vjeç, kanë qenë duke u hedhur nga një shkëmb në det dhe gjatë hedhjes, kanë pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë pasi kanë rënë afër shkëmbit.

16-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë dhe ëhsët transportuar me helikopter drejt Tiranës, teksa 17-vjeçari ëshët jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Policia e Himarës iu jep ndihmën e parë 2 pushuesve të cilët aksidentalisht ishin dëmtuar pasi ishin hedhur nga një shkëmb në det.

Në Llaman, shtetasit D. K. dhe K. Xh., janë afruar te disa shkëmbinj dhe pasi kanë zbritur nga mjeti lundrues Jet Ski, kanë hipur në shkëmbinj, për t’u hedhur në det.

Shtetasi K. Xh., 16 vjeç, banues në Tiranë, kur është hedhur në det, ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, për shkak se ka rënë afër shkëmbit. Në këtë moment është hedhur në det edhe shoku i tij, shtetasi D. K., 17 vjeç, banues në Tiranë, për ta ndihmuar, por nuk ka mundur dot sepse është dëmtuar edhe ai vetë.

Shtetasi D. K. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasi K. Xh. po transportohet me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë vendore dhe ato të Policisë Kufitare, si dhe grupi hetimor, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, është shoqëruar në Komisariat dhe po merret në pyetje pronari i mjeteve lundruese, shtetasi R. P.