E rëndë: Pas një konflikti në komunikacion, 35-vjeçari kosovar sulmon me sëpatë një person

Një rast i rëndë ka ndodhur dje pasdite në rrugën Brigadat 173’ në Viti, ku pas një konflikti në komunikacion, një person dyshohet se ka sulmuar një person tjetër me sëpatë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur disa minuta pas konfliktit në vendin e ngjarjes, ku 35-vjeçari më pas kishte shkuar në lokalin e viktimës dhe të njëjtin e kishte gjuajtur me një sëpatë.

Viktima ka marrë lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.