“ZdraVVo Bando”, Tahiri: Çdo ditë po bëhet e qartë se VV-ja është shndërruar në një organizatë kriminale

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar ashpër partinë në pushtet.

Ai ka vlerësuar se arrestimi për drogë i asamblistit të VV-së është veç episodi i radhës në mentalitetin trafikant e abuzues të Qeverisë Kurti.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se Lëvizja Vetëvendosje është shndërruar në një organizatë kriminale me përmasa mbarë shqiptar.

“Narkotrafiku i pushtetarëve të Albin Kurtit, është veç episodi i radhës në mentalitetin trafikant, korruptiv, abuzues, e keqpërdorues të kësaj qeverie. Çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se Lëvizja Vetëvendosje është shndërruar në një organizatë kriminale me përmasa mbarë shqiptare e përtej kufitare, brenda së cilës bashkëjetojnë lloje të ndryshme keqpërdoruesish, abuzuesish, trafikantësh droge, e deri tek vrasësit e porositësit që duan vrasjen e oponentëve politik”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka përmendur edhe aferat tjera të partisë në pushtet.

“Zyrtarët e VV-së bashkë me mafinë e Serbisë, i kanë vjedhur popullit të Kosovës rreth 100 milion euro në energji elektrike. Zyrtarët e VV-së, i kanë vjedhur popullit të Kosovës dhjetëra miliona euro në rezerva shtetërore, në grurë, vaj e sheqer. Zyrtarët e VV-së vjedhin në çdo metër asfalt që shtrohet, vjedhin në trashëgimi kulturore, vjedhin në leje e licenca dhe në çdo barnë që blihet me buxhetin e taksapaguesve. Mendja s’na e kish marrë por ja që tash paskan nisur edhe biznesin e narkotrafikut përtej kufitar”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo ngjarje është alarm kombëtar.

“Kush e di se sa tonelata drogë në vlerë miliona eurosh është dërguar në Shqipëri e vende të tjera, para se të zihet asamblisti i Vetëvendosjes, si protagonist i narkotrafikut. Kjo ngjarje është alarm kombëtar për atë se kush na qeverisë sot. Si t’i zihet besë një pushteti që në vend se ta luftojë krimin, organizohet për ta mundësuar krimin, korrupsionin, hajninë, e tash edhe narkotrafikun. Si mund të qëndrojnë në pozita, ata që janë të thirrur për rend, ligj e siguri, përderisa bashkë partiakët e tyre janë në krye të aferave më tmerruese që ka parë ndonjëherë Kosova e mbase edhe rajoni. Ky narkopushtet, duhet të marrë fund”, ka shkruar Tahiri.