Escobar – Gërvallës: Nuk ecet përpara me populizëm

Të parës që iu dha fjala në një panel diskutimi në “Forumin e Dubrovnikut”, ishte zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla.

Që në deklarimin e parë, ajo vendosi ta sulmojë Bashkimin Evropian me fjalë të rënda. Ashpër s’i reagoi Miroslav Lajçak, emisari për dialogun që ishte i ulur pak metra më larg, por “brutalisht”, emisari amerikan, Gabriel Escobar, vendosi t’i thotë disa fjalë për atë që paraprakisht, e tha ministrja e Qeverisë Kurti. Çka ndodhi?

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë një paneli diskutimi e sulmoi rëndë Bashkimin Evropian, duke e quajtur “tigër prej letre”.

“Unë vlerësoj që BE-ja nuk munden, dhe njëjtë ka thënë edhe një analist gjerman para disa ditësh, sepse nuk është e aftë të ofrojë siguri, arsyet dihen. Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre kur vjen puna te siguria.” – deklaroi fillimisht ajo, përcjell Nacionale.

Escobar reagon me fjalë brutale

Që në fillim kur iu dha fjala, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e bëri të qartë se nuk pajtohet me Gërvallën.

“Dhe më vjen keq që duhet të “dalloj” nga kolegia ime në Kosovë, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të BE-së dhe ShBA-së.” – u shpreh ai.

Veç kësaj, Escobar la të kuptohet se në Kosovë ka lidership popullist, me të cilin, “nuk mund të ecet përpara”.

“Rajoni është bërë një rajon me dy rrugë, njëra ato që janë në NATO, janë më stabile, dhe janë fuqishëm në rrugën drejt BE-së, dhe të tjerat, janë ato që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e rajonit derisa kanë sfidat e tyre.” – deklaroi ai fillimisht.

Tutje, Escobar u shpreh si vijon: “Ndryshimi është se shtetet që janë në NATO dhe kanë bërë progres, janë ato që kanë kaluar sfidën e rivalitetit etnik…Ndërsa ato që vazhdojnë të kenë lidership që beson që popullizmi, nacionalizmi, rivaliteti etnik janë rruga përpara, janë ato që po kanë më shumë sfida”.

Lajçak “më i butë”

Jo vetëm “tigër prej letre”, këto s’ishin fjalët e vetme me të cilat Gërvalla sulmoi BE-në, ajo mes tjerash, deklaroi se “Kosova s’e përdor unionin për para”.

Ndyrshe prej të tjerëve, ne nuk e përdorim BE-në si një “cash-cow (investim, biznes)”, ne jemi më shumë për vlera evropiane, se sa për vlera të parave.” – u shpreh ajo.

Ndaj kësaj, u përgjigj emisari Lajçak, i cili tha se BE-ja, “është unioni më i suksesshëm i shteteve”.

Po ashtu, ai theksoi se BE, është ëndërr e shteteve që po trokasin në derën e këtij blloku, derisa shtoi se ka nevojë për zgjerim.

“Fillimisht, mendoj se duhet të them që BE-ja është larg perfeksionit, por është më i miri që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një union tjetër të shteteve në këtë planet, që ka bërë stabilitet politik, ekonomik më të mirë…Kështu që, unë mendoj që bashkimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE-së. Në këto 20 vite, vetëm Kroacia iu bashkua BE-së, dhe procesi i zgjerimit ka humbur dinamikën. Dihet se diçka duhet të bëhet. Dua të them, ironikisht, që lufta në Ukrainë solli një afekt pozitiv, dhe ai është kuptimi i BE-së që kemi një punë të pakryer në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi serioz, dhe zgjerimi është kthyer në lojë.” – u shpreh ai.