Escobar: Qeveria e Kosovës është e obliguar ta bëjë Asociacionin, ai do të bëhet realitet

I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është çështje që lidhet drejtpërdrejt me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Është Kosova që e ka nënshkruar këtë marrëveshje. Ligjërisht Qeveria e Kosovës është e obliguar që ta zbatojë atë. Është një obligim ndërkombëtar. Kështu e shohim ne”, është shprehur Escobar për Telegraf.rs.

Ai ka theksuar se asociacioni do të themelohet me patjetër.

“Është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit të Evropës. Do të bëhet realitet. Do të ndodhë.  Çështja është se vetëm cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë. Sa më parë që bëhet, aq më mirë”.

Duke thënë kështu, Escobar ka nënvizuar se nuk dëshiron që të duket se po bën presion mbi kryeministrin Kurti.

“Fakti është se secili pret, inkurajon dhe dëshiron që të punojë bashkë me Kosovën për zbatimin e asociacionit. Ky është vetëm fakt”. /Demokracia