Familja tha se u rrëmbye, 31-vjeçarja në Kllokot thotë se iku me dëshirë me të dashurin e saj

Gazeta gjatë ditës së djeshme ka raportuar për një rast të rrëmbimit që ka ndodhur në fshatin Mogillë të Kllokotit, ku një person dyshohej se kishte marrë me dhunë ish të dashurën e tij dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Sinjali mëson se i dyshuari dhe viktima janë paraqitur dje në stacion policor, ku janë deklaruar lidhur me rastin dhe kanë pohuar se janë në lidhje dashurie që 6 vite.

Bazuar në dëshminë e 31-vjeçares, familja e saj ka deklaruar rrejshëm se kinse ajo është rrëmbyer, për shkak se nuk pajtohen me martesën e saj me të dyshuarin.

Ajo ka deklaruar se nuk dëshiron të kthehet në shtëpinë e saj dhe ka shkuar të jetojë me të dashurin e saj në shtëpinë e tij.