Fantastike kjo! Shpëtohet pas 104 orëve nën rrënoja

Një ekip gjerman i shpëtimit nxori një grua të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqi të premten, duke nxitur brohoritje gëzimi nga njerëzit që po shikonin. Ky lajm i mirë erdhi rreth 104 orë pas mbetjes nën rrënoja nga tërmeti i fuqishëm.

Punëtorët e agjencisë gjermane të emergjencave, ISAR, e nxorën me kujdes me një barelë nga copat e betonit dhe metalit në qytezën Kirikhan dhe e vendosën në një autoambulancë.

“Tani besoj në mrekulli”- tha në vendin e ngjarjes Steven Bayer, udhëheqës i ekipit të Kërkim-Shpëtimit Ndërkombëtar.

“Mund t’i shihni njerëzit duke qarë dhe duke e përqafuar njëri-tjetrin. Është lehtësim shumë i madh që kjo grua, në kushte të tilla, doli kaq e shëndoshë. Është një mrekulli absolute”- shtoi ai.

Numri i përgjitshëm i viktimave të tërmetit në Turqi e Siri ka shkuar në mbi 21 mijë e 700, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë kanë pësuar lëndime. Shpresa për të gjetur shumë të mbijetuar po zbehet për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit të të gjallëve të mundshëm nën rrënoja.