Gashi: Interesant, një pjesë e deputetëve të pushtetit kanë thënë se e kanë parë draftin e Asociacionit

Pushteti dhe opozita nuk po gjejnë konsensus rreth dialogut edhe pse plani i ri ku bënë pjesë edhe draft statuti i asociacionit është shumë pranë nënshkrimit nga kryeministri Kurti.

Partitë opozitare kanë deklaruar se janë të gatshme të bashkëpunojnë me Qeverinë sa i përket përballjes me Serbinë në dialog.

Sipas deputetit të LDK-së, Arben Gashi, kryeministrit Kurti nuk po i intereson të ketë bashkëpunim me opozitën, por vetëm nënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia.

‘’Duhet të kemi qasje në dokument dhe të formojmë opinionin tonë mbi informacionet autentike që i marrim nga dokumenti. Një fakt interesant është se një pjesë e deputetëve të pushtetit kanë deklaruar se e kanë parë dokumentin. Qeveria po krijon një situatë të mosbesimit”, tha Gashi për RTV21

Deputetja e Vetëvendosjes, Jeta Statovci, siguroi opozitën se kryeministri Kurti nuk do të pranojë asgjë që e prish rendin kushtetues.

‘’Nuk do të ketë një hap përpara pa e parë të gjithë deputetët e Kuvendit, Kryeministri ka një historik në refuzimin e çështjeve që nuk janë në interes të Kosovës. Seriozitetin në synimin e përbashkët e kemi, por asnjëherë në dëm të kushtetutshmërisë’’.

Kosovës i duhet konsensus politik në proces të dialogut vlerëson Arbër Fetahu nga grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Sipas tij, mos uniteti në dialog nuk është diçka e re sepse është përdorur edhe më parë si karrem për përfitime të votave nga përfaqësuesit e pushtetit dhe të opozitës.

‘’Konsensusi është i domosdoshëm përballë Serbisë. Nuk është e diçka e re mos uniteti në dialog. Kanë qenë të rralla temat që kanë qenë unitet partitë politike. Dialogu është përdorur si një lloj karremi për përfitime të votave’’.

Opozita ka kërkuar nga Qeveria raportim në Kuvend përpara çdo takimi në Bruksel me palën serbe.

Gjatë kësaj jave mbahet takimit midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë ku do të flitet për zbatimin e marrëveshjeve dhe situatës në veri të vendit.