Gjermania do të dërgojë edhe 200 ushtarë shtesë në Kosovë

Gjeneral brigade i Bundeswehr-it gjerman, Ralf Hammerstein, ka thënë se Gjermania do të dërgojë edhe 200 ushtarë shtesë në Kosovë.

Këtë ai e ka bërë të ditur gjatë një interviste, transmeton lajmi.net.

“Bundesëehr aktualisht ka rreth 80 ushtarë në terren, të cilët së shpejti do të rriten me rreth 200, duke përfshirë forcat mbështetëse. Pra, do të ketë rreth 280”, ka deklaruar për Die Welt Hammerstein, i cili ka këshilluar ushtarakisht qeverinë e Kosovës si drejtor i “Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s” që nga prilli i vitit 2023.

Tutje Hammerstein ka folur edhe për nacionalizmat, duke thënë se idetë për ‘Shqipërinë e Madhe’ apo ‘Serbinë e Madhe’ janë të rrezikshme.

“Ky etno-nacionalizëm, megjithatë, është e kundërta e pajtimit. Për sa kohë që përmenden ide të tilla si Serbia e Madhe apo Shqipëria e Madhe – dhe këto nuk janë narrativa të asnjë ekstremisti – asnjë kufi nuk do të mund të ekzistojë me mirëbesim”, ka deklaruar ai.