“Haxhi nuk është Mekë”: Pse lutjet në Malin e Arafatit janë maja shpirtërore e pelegrinazhit islamik

Erdhën në errësirën e natës, mijëra sosh, për të ngjitur kodrën shkëmbore të quajtur Mali i Arafatit.

Pak dihet jashtë Islamit për këtë kodërvarr në juglindje të Mekës. Për jomyslimanët, të sjellët rreth Qabesë – strukturës së zezë në formë kubi në qytetin e shenjtë – është momenti pamor më rrëmbyes që lidhet me pelegrinazhin e përvitshëm të Haxhit.

Mirëpo për myslimanët, ishte riti i lutjeve të së martës në Arafat që përfaqësonte thelbin e Haxhit.

Kodra dhe Dita e Arafatit, siç quhet dita e dytë e pelegrinazhit të përvitshëm, përmbajnë një kuptim të paanë në Islam.

Arafati përmendet në Kuran, dhe është vendi ku Profeti Muhamed thuhet ta ketë bërë predikimin e tij të fundit në Haxhin e tij të fundit. Sipas thënieve tradicionale të profetit, Dita e Arafatit është dita më e shenjtë e vitit, kur Zoti afrohet te besimtarët dhe ua fal mëkatet.

Momenti i afërsisë me Zotin e bën pjesën personale më rezonuese të pelegrinazhit për shumë njerëz.

Nga ora 4 e mëngjesit të së martës, maja 70 metra e lartë e kodrës qe e mbushur me besimtarë. Ata u ngjitën mbi e daljet e vrazhda të saj, duke bartur gjësendet që i kishin me vete dhe ishin në kërkim të një vendi të lirë. Ata u ulën në grupe buzëve të gurta të tyre dhe në çarjet e thella midis shkëmbinjve të mëdhenj.

Ca luteshin, duke pëshpëritur thirrjet e tyre te Zoti me pëllëmbët e tyre ngritur lart në qiell. Disa e sodisnin peizazhin teksa drita e agimit u kacavor. Të tjerë ngritën duart e tyre në gjestin universal të së bërit selfie për ta përkujtuar momentin. Spërkatësit gjigantë në formë unaze hidhnin spërka në tentim të flladitjes së pelegrinëve në vapën që tepër shpejt shkoi në 45 gradë Celsius.

Teksa dita vazhdonte, zona që rrethonte Malin e Arafatit u mbush me diku 1.8 milion pelegrinë. Pa hije apo puhi, njerëzit kapnin çfarëdo që gjenin për ta mbrojtur veten nga dielli. Vullnetarët shpërndanin çadra e pije, dhe kamionët e ngarkuar me arka të shisheve me ujë shtuan kaosin e trafikut. Telefonat e dorës u ndalën nga vapa, dhe pelegrinët shpuan shishet me ujë duke i përdorur si sisteme portable të spërkatjes.

E megjithatë, ata thanë që ishin të gëzuar pavarësisht vështirësive.

Khaled Al-Shanniku, një pronar dyqani 30-vjeçar nga Jordani, tha që Haxhi nuk është Mekë. “Haxhi është Arafati,” tha ai, duke përsëritur njërën prej thënieve të profetit teksa rrinte ulur me familjen e tij mbi një shkëmb të madh. “Të gjithë myslimanët do të donin të qëndronin në pozitën në të cilën jemi ne tani”.

Usman Arshad, një student 26-vjeçar nga Pakistani, eci afro katër mijë e 700 kilometra për këtë moment. Ai ishte i vendosur për ta arritur Haxhin në këmbë. Andaj ai eci nga vendbanimi i tij Okra në provincën lindore të Punxhabit, nëpër gjerësinë e shtetit të tij dhe Iranit. Ai pastaj mori një varkë për në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe eci përgjatë Gadishullit Arab për në Mekë.

“Kishte sfida, dhe u rrëzova disa herë, mirëpo Zoti më ndihmoi që të ngrihem”, tha ai për rrugëtimin e tij që ia mori gjashtë muaj në total.

Arshadi qe rritur duke lexuar për Haxhin dhe njihte njerëzit që e kishin realizuar atë. Ai kishte folur me ta mbi pritshmëritë dhe se si ta përgatiste veten. Ai po ashtu i kishte bërë hulumtimet e tij, posaçërisht kur bëhej fjala për Arafatin.

Arafati është thelbësor për pelegrinët, tha ai, si moment për ta marrë faljen e Zotit.

“Kjo nuk është gjë e vogël. Të gjithë besojnë se janë mëkatarë. Nëse na jepet ky shansi (që të falemi) atëherë ne duhet ta shfrytëzojmë”, ka thënë ai. “Arafati është një ditë e bekuar, dhe ndiej paqe e urti duke qenë këtu”.

Nga pelegrinët kërkohet që të falen në Arafat pas mesditës dhe deri sapo të perëndojë dielli. Ata nuk është e thënë të jenë në kodër, dhe mund të jenë kudo në tokën përreth saj.

Në mesditë, turmat gjigante të pelegrinëve dëgjuan një predikim nga Sheiku Yusuf bin Saidi, në Xhaminë e madhe Namirah, e ndërtuar në vendin ku Profeti Muhamed kishte bërë adresimin e tij të fundit për komunitetin e hershëm mysliman në shekullin e shtatë. Sheiku përsëriti thirrjen e profetit për bashkim.

“Ne jemi të komanduar për të qenë të bashkuar dhe na ndalohet të jemi të ndarë në të gjitha rrethanat, e që është edhe më e rëndësishme gjatë sezonit të Haxhit dhe në vendet e ritualeve”, tha ai.

Autoriteti Gjeneral për Staitistika i Arabisë Saudite tha të martën që një milion e 845 mijë e 45 njerëz morën pjesë në Haxhin e sivjetmë, përfshirë një milion e 660 mijë e 915 jashtë vendit. Është një numër konsiderueshëm më i vogël se sa dy milionë e 489 mijë e 406 njerëzve që kishin marrë pjesë më 2019, Haxhi i fundit i madh para pandemisë. Numri i pelegrinëve të huaj këtë vit ra për 200 mijë krahasuar me 2019-tën, dhe ata që shkuan brenda Arabisë Saudite janë vetëm një e treta e numrit të atij viti.

Pas perëndimit të diellit të së martës, pelegrinët ia mësynë një fushe shkretëtire të quajtur Muzdalifa për të mbledhur guralecë, të cilët do t’i përdorin në ditën pasuese në një ritual të gjuajtjes simbolike me gurë të djallit në Mina. / Associated Press