Haziri: Qeveria s’e ka asnjë meritë për liberalizimin e vizave, Kurti të tregojë kur largohen sanksionet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas liberalizimit të vizave për kosovarët.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë se Qeveria aktuale e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk e kanë asnjë meritë për liberalizimin e vizave.

Një qeveri dhe një kryeministër nën masa ndëshkuese politike, ekonomike e finaciare për mosmbajte të fjalës dhe obligimeve shtetërore, NUK ka asnjë meritë për liberalizimin e vizave pas vonesës prej 7 vitesh. Koha me kërku falje për bllokimin 7 vjeçar dhe me i tregu popullit kur largohen sanksionet”, shkroi ai.

Haziri e ka cilësuar si ‘budallaki të llojit të vetë’, komunikimin e kryeministrit Kurti me qytetarët që fituan biletat falas për udhëtimin e parë pa viza drejt qytetit të Vjenës.

Një kryeministër që u flet 50 qytetarëve fitues të biletave gratis për Vjenë në aeroplanin edhe me mbi 200 të tjerë që shkojnë me gurbet për punë, është budallaki e llojit të vetë. Shpresoj që këta 50 përfituesit të mos jetë i gjithë Grupi Parlamentar i VV-së!

Vjena është vendi më i mirë kur Kosva me unitet politik arriti deri te shpallja e Pavarësisë, në kohën kur Kurti protestonte e martirizonet njerëz kundër saj!”, shkroi më tej Haziri.

Ndryshe, që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët kosovarë kanë mundësi që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.