I ndarë nga shokët, i zbehtë e pa kontakte – Detaje të padëgjuara rreth trajtimit të Salih Mustafës në burgun e Hagës

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale. I gjithë procesi gjyqësor u zhvillua teksa Mustafa nuk lejohet të qëndronte me të akuzuarit e tjerë. Ai për më shumë se 8 muaj qëndronte vetëm në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ishte larg nga Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Gucati, Haradinaj e Shala.

Detajet janë publikuar tek pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale. Në dokumentet që ka parë gazeta Nacionale, shihet se mbrojtja e Mustafës kishte ngritur shqetësime lidhur me gjendjen shëndetësore të ‘Calit’, pasi po qëndronte për një kohë të gjatë. Krejt kjo pasi Prokuroria pretendonte, se komunikimi i Mustafës me të akuzuarit e tjerë mund të kishte pasoja në procedurë.

Një parashtrim që është bërë publik tek tash mban datën 19 prill 2022. Aty avokati i Mustafës ngreu alarmin se klienti i tij ishte në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Megjithatë kjo nuk i kishte bërë përshtypje as trupit gjykues e as Prokurorisë, të cilët e kishin vazhduar masën e ndarjes për Mustafën.

“Familjarët që kanë ardhur për ta vizituar ditët e fundit kanë njoftuar mbrojtjen [Redaktuar]. Ata kërkuan nga mbrojtja që ai të kontrollohej në spital, në veçanti që ai [Redaktuar] të kontrollohej. Vëzhgimet e tyre ishin se ai duket i zbehtë dhe nuk ka pamje të natyrshme. Natyrisht, ata vunë re se ai është [Redaktuar] edhe pse ai përpiqet të mos vërehej para familjarëve”, thuhet në këtë parashtrim që tregon për gjendjen e Salih Mustafës aso kohe.

Mustafës i ishte vështirësuar edhe komunikimi me familjen.

“Kontakti kuptimplotë në përgjithësi si dhe me familjarët e tij është bërë më i vështirë. Është shumë logjike kur dikush ka nevojë të ndërveprojë me anëtarët e familjes nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Rrethanat e tilla vetëm nxisin probleme te i akuzuari”, thuhej në këtë parashtrim të muajit prill 2022.

“I mungon ushqimi i shijshëm dhe nuk ka oreks, megjithëse ha. Ai gjen ushqimin [Redaktuar]. Situata e tij aktuale e bëri atë të humbiste besimin te drejtësia Mbrojtja mund të parashtrojë vetëm se ndarja duhet të ndërpritet”, bëhet e ditur më tutje.

Në këtë parashtrim përmenden detaje edhe të mënyrës se si e kalonin kohën ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

“Atij i mungon kontakti me të burgosurit nga Kosova. Ai u mësonte tenis disa prej tyre, por tani nuk është në gjendje të ndajë pikëpamjet me njerëzit për ngjarjet aktuale në botë, apo edhe golat e shënuar në një ndeshje futbolli që ka parë në TV”, bëhej e ditur në këtë parashtrim.

“Duke marrë parasysh kohëzgjatjen e ndarjes së të akuzuarve dhe mungesën e kontaktit me ndonjë bashkëkombës tjetër të paraburgosur nga Kosova, dhe vazhdimin e këtyre masave, mbrojtja mendon se ndarja është shumë e ashpër për të akuzuarin”, përfundonte parashtrimi.

Megjithatë, Prokuroria vazhdonte të insistonte se ndarja nga të tjerët është tejet e rëndësishme për procedurën, pasi mund të ndikojë në gjykim. Kjo bëri që edhe trupi gjykues të refuzonte në vazhdimësi kërkesat e mbrojtjes së Mustafës.

Pse u dënua Salih Mustafa?
Dhomat e Specializuara kishin mbajtur seancën përfundimtare rreth akuzave ndaj Salil Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë luftës. Në seancëm Gjykata Speciale vendosi për akuzat për krime lufte që i ngarkoheshin Mustafës.

Mustafa u shpallë fajtor në 3 nga 4 pikat për të cilat akuzohej. Ai u shpalë fajtor, për ndalim arbitrar, torturë si dhe për vrasje të paligjshme. Duke e dënuar me dënim unik prej 26 vjetëve.

Kurse u shpall i pafajshëm për pikën 2, trajtim çnjerëzor.

“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë, dhe duke marr parasysh të gjitha provat dhe argumentet e palëve mbrojtëse të viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158 dhe 159, 163 dhe 165 të Rregullores, ju shpall juve z. Mustafa, fajtor për:

“Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.

Pikën 4: vrasje e paligjshme si krim lufte, në bazë të nenit 14 1c i të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje.

“Trupi Gjykues ju shpall të pafajshmë për veprën për krimin e luftës të trajtimit çnjerëzor në pikën 2.” – lexoi gjyqtarja e Speciales.

“Pikën 1: Ndalim arbitrar si krim lufte sipas neneve 14 1c dhe 16 1a të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje në aktgjykim.

Ky ishte edhe dënimi i parë, për krime lufte nga Dhomat e Specializuara./Nacionale