Këputet kavoja e ashensorit në një objekt në Gjakovë, lëndohen rëndë dy persona

Foto Ilustrim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Gjakovës, ku në një objekt banesor në rrugën ‘Xhevat Hoxha’ katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e këputjes së kavosë së ashensorit.

Sinjali mëson se katër viktimat janë anëtarë të së njëjtës familje, saktësisht prindërit dhe dy fëmijë të moshave 2 dhe 1-vjeç.

Çifti bashkëshortor kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar me urgjencë në spital, ku edhe po vazhdojnë trajtimin nën përkujdesjen e mjekëve, ndërsa fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Lidhur me rastin është arrestuar përgjegjësi i objektit ku ka ndodhur incidenti, i cili dyshohet se nuk kishte marrë masa mbrojtëse për mirëmbajtjen e ashensorit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku bëhet e ditur se kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse’.