Kërkesa e Kosovës për blerjen e raketave Javelin, sa do t’i blejë dhe me çfarë vlere?

Kosova ka bërë zyrtarisht kërkesë për blerjen e sistemit raketor antitank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shitja e mundshme e këtyre raketave është miratuar nga Departamenti i Shtetit, derisa tash kërkesa i shkon Kongresit Amerikan, prej ku fillon procedura zyrtare.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Qeveria me ShBA’të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS.

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit, thuhet se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F.

Në këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të tyre dhe vlera e përgjithshme llogaritet të jetë 75 milionë dollarë.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.