Këshilltari i Kurtit e fiton një ulëse në Parlamentin maqedonas

VMRO-DPMNE, partia e cila ishte në opozitë në Maqedoninë e Veriut, do të rikthehet në pushtet. Sipas rezultateve fillestare të zgjedhjeve të djeshme parlamentare që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i shpalli mëngjesin e sotëm, nga mbi 99,27 për qind të votave të numëruara, koalicioni i udhëhequr prej partisë së Hristjan Mickoskit pritet t’i ketë 58 mandate në përbërjen e re parlamentare.

Koalicioni Fronti Europian, i udhëhequr nga BDI-ja e Ali Ahmetit pritet t’i ketë 19 deputetë, duke u bërë forca e dytë politike në vend.

Koalicioni për Ardhmërinë Europiane i udhëhequr nga LSDM-ja pritet t’i ketë 18 deputetë.

Koalicioni nga blloku opozitar shqiptar, VLEN, pritet t’i ketë 13 deputetë. Me këtë koalicion në zgjedhjet parlamentare në shtetin fqinj garoi edhe Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Partia që qeveris në Prishtinë i pati tre kandidatë për deputetë, prej të cilëve Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit, siç raportojnë mediat në Shkup, ka arritur ta sigurojë një ulëse në Parlamentin maqedonas. Të njëjtën gjë nuk arritën ta bëjnë dy kandidatet tjera nga LVV-ja, Nafie Selmani dhe Medine Ukshini, shkruan Gazeta Express.