Këto janë kërkesat që Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të “Trepçës” do t’ia plotësojë minatorëve

Minatorët e “Trepçës”, dhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje janë pajtuar me tri nga katër kërkesat e paraqitura nga ta.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve është pajtuar që pagat e minatorëve të dalin në mes datës 6 dhe 10 të çdo muaji, të shpallet konkursi për Kryeshefin Ekzekutiv dhe të përmirësohen kushtet e sigurisë së minatorëve.

Sipas njoftimit, minatorët i kanë kërkuar Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve që të tërhiqen të gjitha vendimet e nxjerra gjatë grevës, pikë për të cilën këta të fundit kanë thënë se do ta analizojnë.

“Ne, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve jemi në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e paraqitura nga ju, sepse janë dhe prioritete tona tashmë”.

“Ne, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1, 2 dhe 3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj, ju sigurojmë që do të analizojmë dhe shqyrtojmë në vijmësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”, thuhet në përgjigjen e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve.

Kujtojmë se mbrëmë në mesnatë, minatorët e “Trepçës” e kanë ndërprerë grevën, pasi kanë marrë premtimin se kërkesat e tyre do të realizohen.