KMDLNJ-ja iu thotë qytetarëve ta padisin KESCO-n, ZRRE-në dhe KEDS-in

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), u ka rekomanduar qytetarëve konsumator ta padisin KESCO-n, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ZRRE dhe KEDS-in, për shkak të faturave tê larta për energjinë elektrike gjatë muajit dhjetor.

Në njoftimin për media, thuhet se muajin e kaluar faturat për rrymën e pa-shpenzuar ishin të kripura, deri 400 përqind më të larta se muajit paraprak.

Tutje KMDLNj, ka rekomanduar qytetarët e Kosovës të ankohen dhe të paguajnë vetëm shumën e muajit paraprak.

“Para sporteleve të KEDS-it janë krijuar radhë të gjata të qytetarëve që po ankohen për këto fatura jonormale dhe pritjet janë disa orëshe. Reagimet e KEDS, KESCO janë reagime të hajdutëve të zënë në vepër ndërsa reagimi i Qeverisë së Kosovës është oportunist dhe i pamoralshëm”, thuhet tutje në njoftim.