Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese para votimit në maj

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se votimi pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, është “sinjali më i fuqishëm i mundshëm” që mori vendi në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Ai thotë se qeveritë e shumë shteteve nuk kanë vendosur ende se si do të votojnë në maj – kur pritet vendimi përfundimtar.

Andaj, Kosova duhet të bëjë disa “befasi pozitive” në javët e ardhshme, thotë ai.

Ka disa gjëra që Kosova mund t’i bëjë në javët e ardhshme. Do të ishte e dobishme që Qeveria e Kosovës, në të ardhmen e afërt, të tregojë se çfarë është e gatshme të bëjë, që njerëzit ta shohin se kjo nuk ka të bëjë vetëm me anëtarësimin në Këshill të Evropës, por edhe me përmirësimin e të drejtave të njeriut për të gjithë në Kosovë.

Pra, duhet të jemi të drejtë – ka gjëra që Qeveria e Kosovës mund t’i bëjë dhe ka gjëra që nuk mund t’i bëjë. Themelimi i Asociacionit pa pjesëmarrjen e atyre për të cilët bëhet, nuk është i mundur. Serbia e ka bërë të qartë se më mirë nuk do ta kishte Asociacionin, sesa Kosovën në Këshillin e Evropës.

“Këshilla ime do të ishte ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Knaus.

Asmableja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi mbrëmjen e së martës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Megjithatë, disa deputetë theksuan se vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara votimit përfundimtar në maj.

Knaus thotë se themelimi i këtij asociacioni “pa pjesëmarrjen e atyre për të cilët bëhet, nuk është i mundur”, raporton Radio Evropa e Lirë.