Komuna e Shtimes merr vendim: 1000 euro për trenjakët, 500 për binjakët

Kuvendi Komunal i Shtimes e ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë marrë një sërë vendimesh.

Në mesin e vendimeve është votuar edhe Propozim-Vendimi për ndarjen e subvencioneve për nënat lehona për fëmijët e lindur në vitin 2024.

Kryetari i komunës, Qemajl Aliu, tha se tani e tutje, çdo çifti që u lind fëmija i parë do t’i përfitojnë 100 euro shtesë, për fëmijën e dytë 150 euro, për të tretin 200, ndërsa për binjakët 500, e trenjakët 1 mijë euro.

“Pasi e kemi iniciuar për herë të parë në Komunën e Shtimes praktikën e mbështetjes së nënave lehona, jam i lumtur që u votua në kuvend propozimi ynë për rritjen dhe përshkallëzimin e vlerës së përkrahjes financiare”, tha Aliu.

Aliu theksoi se qeverisja e mirë po dëshmohet në përditshmëri me masat ndihmuese për të gjitha kategoritë shoqërore, kësisoj duke ndikuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e mirëqenies për të gjitha familjet në komunën Shtimes.

“Paçim sa më shumë raste të dhënies së mjeteve financiare nga kjo masë”, theksoi ai.