Konfiskimi i verës në Rahovec, pamje të refuzimit të serbëve ndaj policisë dhe reagimi i Doganës (Video)

Dogana e Kosovës e ka përgënjeshtruar drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, lidhur me akuzat e tij për konfiskimin e verës në Hoçë të Madhe, në komunën e Rahovecit, fshat i banuar me shumicë serbe.

Petkoviq dje ka thënë se Kurti ka bërë një sulm të ri ndaj serbëve duke akuzuar “se Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi prej 40.000 litra verë në këtë fshat, pronë e një serbi”.

“Sulmi i ri i (Albin) Kurtit ndaj serbëve në jug të Ibrit. Ai dërgoi policinë e tij në qendër të Hoçës së Madhe për të konfiskuar 40.000 litra verë nga një nga vreshtat më të vjetra të Petroviqit”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në Twitter.

Por Dogana e Kosovës ka thënë se pas një kontrolli të realizuar i cili ka qenë rutinor, tek personi në fjalë kanë gjetur veprimtari të prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, dhe ky veprim ka rënë ndesh me normat e Doganës dhe Akcizës.

I njejti person nuk e ka të regjistruar as aktivitetin si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve. Pas këtyre shkeljeve, Dogana e Kosovës ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme.

Gazeta 10 posedon foto e video të reagimit të banorëve serb lokal të cilët nuk kanë pranuar asesi të konfiskohet vera e paligjshme duke e portretizuar si sulm ndaj serbëve në jug të Kosovës.