Konjufca harron të shkojë në gjykatë për gazin: Nervozohet dëshmitari Sabri Hamiti

Kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca këtë të mërkurë qenë e paraparë të dalë para Gjykatës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Konjufca nuk është paraqitur në seancë, sepse sipas avokatit të ti tij ai ka harruar. Harresa ndodhi sepse, sipas tij gjykata e lajmëroi vetëm gojarisht Konjufcën, e ky i fundit për shkak të agjendes së ngjeshur i ka ngatërruar datat.

“Unë tentova ta thërras por s’kishte çasje në rrjet. Kontaktova me kabinetin dhe më thanë që është larg Prishtinës”, tha avokatja.

Këtë seancë ka qenë e planifikuar të dëgjohet edhe dëshimitari, ish-deputeti në kohën e hedhjes së gazit lotsjellës, Sabri Hamiti.

Hamiti, u nervozua shumë që s’po mbahej seanca. Madje ai paralajmëroi se nuk do të vijë më aty.

Në seancën e sotme munguan edhe dëshmitarët: Pal Lekaj, Valdete Bajrami e Slobodan Petroviq.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 8 shkurt.

Kujtojmë se më parë, në këtë gjykim kanë dëshmuar edhe figura të tjera të njohura, ish-deputetët Ismet Beqiri e Adem Grabovci.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla./Nacionale