Konsumatorët e pambrojtur kosovarë

Rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të tregtarëve në Kosovë evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, keqpërdorime nga shit-blerjet “online” dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.

Shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë janë bërë të përditshme, numerikisht të shumta dhe ç’është më keq, ato vetëm sa po shtohen.

Konsumatori i varfër kosovar, ndonëse ligjërisht është dhe duhet të jetë i mbrojtur, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, po përballet përditë edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare.

Sipas zyrtarëve të MINT, rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të tregtarëve evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, keqpërdorime nga shit-blerjet “online” dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.

Me fjalë të tjera, keqpërdorimet e tregtarëve dhe shkeljet e të drejtave të konsumatorëve kryesisht ndërlidhen me abuzime me çmime, me shitjën e produkteve me afat të skaduar dhe me cilësinë e produktit.

Sipas MINT, ankesat e pranuara nga Inspektorati i Tregut janë të ndryshme, por ndër to: 27% janë për mospërputhje çmimi, 15% për mospërfillje garancioni, 14% moskthim i mallit, 10% blerje ‘online’, etj. Dhe, sipas të dhënave të ueb faqes “konsumatori.rks-gov.net”, ku qytetarët mund të ankohen ‘online’ për shkelje të të drejtave si konsumatorë si rrjedhojë e keqpërdorimit në markete dhe supermarkete kryesisht dhe gjatë tregtimit “online”, nga 1 janari e deri në fund të shtatorit janë pranuar mbi 2 mijë e 360 ankesa. Prej tyre, 812 janë zgjidhur, rreth 550 janë refuzuar, ndërsa rreth 1 mijë ankesa janë në proces të zgjidhjes.

Janë prezente sidomos abuzimet brenda për brenda marketeve me çmimet që shpërfaqen në rastet më të shpeshta të mospërputhjes së çmimit të vendosur në raft me çmimin e llogaritur në arkë, është unik në rajon, por edhe përtej. Del të jetë goxha unik edhe abuzimi me tregtimin e mallrave të skaduara dhe me mënyrat e tjera të mashtrimit të konsumatorëve me çmimet.

Sipas ankesave të paraqitura nga konsumatorët, manipulime jo të pakta nga disa tregtarë kosovarë, akoma bëhen me mallrat e skaduara, të cilat tregtohen edhe pas skadimit të afatit të përdorimit dhe “zgjatjes’ false të këtij afati. Konsumatori i skamur kosovar, duke bërë përpjekje për ta gjetur ndonjë çmim paksa më të lire, dhe i ndikuar e i joshur nga propagandimi i pa reshtur dhe nëpërmjet shpalljeve publike dhe sidomos të supermarketeve të mëdha që përditë vërshojnë ekranet e medieve vizuele, shumë shpesh ka përjetuar zhgënjime të mëdha me rastin e pagesave në arkë.

Me fjalë të tjera, çmimet e vendosura në rafte nuk përputhen me çmimin e kërkuar në arkë. Reporterit të Buletinit Ekonomik i rastisi të enjten (me 5 tetor 2023) te arka e një supermarketi ‘me emër’, ta dëgjojë një debat jo fort të këndshëm ndërmjet një të moshuari dhe arkatares. Klienti i shtyrë në moshë kishte marrë në raftin e supermarketit një produkt me çmimin nën ulje prej 85 centësh, por kur ka shkuar ta paguaj arkatarja ia ka kërkuar, 1,15 euro. I moshuari pas kësaj mosmarrëvjeshjeje i kërkon arkatares që të shkojë të rafti për ta parë çmimin prej 85 centësh, por kur kërkesa e tij nuk plotësohet, kërkon menaxherin përgjegjës të supermarketit për t’u sqaruar.

Menaxheri, pa një pa dy dhe pa e dëgjuar ankesën, e urdhëron arkataren që të moshuarit t’ia paguaj çmimin e raftit.

Në kohët e fundit ndodhë në ‘iks’ raste kur ‘fletushkat” reklamuese për ulje çmimesh, nuk përputhen me çmimin e vërtetë që blerësi detyrohet ta paguajë në arkën e marketit.

Mashtrimi i konsumatorëve me çmimet bëhet edhe në mënyra të tjera. Tashmë janë të informuar edhe inspeksioni për këto mashtrime tregtarësh. Në shumë markete të mëdha, në shtandet e produkteve qenësore ushqimore, ndodhë shpesh të jenë vendosur njoftime se gjoja sasia e produktit me çmim të liruar “është e limituar”, prandaj edhe produket numerikisht të kufizuara për blerësit. Dhe, konsumatori i stërvobekt i Kosovës, i joshur dhe i nxitur nga kjo propagandë e tregtarëve mashtrues, në jo pak raste është detyruar të futet në borxhe financiare për të siguruar, edhe në këto kushte, një litër vaj, disa kilogramë miell dhe ndonjë produkt të shpallur si “i limituar”, sado që stoqet në markete janë të stërmbushura më këto mallra.

Njësoj tregtarët (ata me prirje abuzive) vazhdojnë të abuzojnë edhe me rastin e shumë festave shtetërore, e sidomos të festave të Bajramit, të Krishtlindjeve, të Pashkëve dhe ato të fundvitit. Me rastin e festave të mëdha, kur popullata e të gjitha shtresave nuk kursen për ta pasur një tryezë sa më festive dhe me ushqime të bollshme, në vendin tonë vërshojnë çmime të reja të ngritura, sidomos të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën, por në veçanti të atyre produkteve që konsumohen shumë gjatë festave.

Ndërsa, për këto abuzime evidente, deri vonë autoritetet arsyetoheshin “me mungesë të numrit të bollshëm të inspektorëve dhe për rrjedhojë të inspektimeve të pakta të marketeve dhe supermarketeve’ për t’i parandaluar këto keqpërdorime.

Këtyre ditëve, dëgjohen fajësime të konsumatorëve nga zyrtarët, me retorikën se “ku po u bie ndërmend këtyre njerëzve në këto rrethana politike për abuzimet e tregtarëve me konsumatorët”, thuaja se situata politike dhe zgjidhjet e saj paskan mbetur te zyrtarët kompetentë për të evituar keqpërdorimet e tregtarëve ndaj konsumatorëve.

I pari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, kohë më parë konsideronte se numri i sanksioneve për këto abuzime mbetet i ulët. Por, sipas tij, edhe numri i ankesave del të jetë ende i vogël.

“Nëse kemi parasysh, se janë me mijëra fusha, një mijë sektorë socio-ekonomikë dhe qindra e mijëra transaksione ekonomike brenda një dite, del që numri i gjobave brenda një periudhe kaq të gjatë është hajgare. Ministria në vend që të dëshpërohet, e të ndjejë keqardhje, ajo lavdërohet se i ka evidentuar një numër ankesash, të cilat janë jashtëzakonisht të pakta, dhe kështu e bën MINT-in dhe Qeverinë shumë qesharake”, kishte deklaruar ai.

Ankesat e kësaj natyre, siç tregon MINT, dërgohen te Inspektorati i Tregut, duke shpjeguar se fatura e produktit duhet ruajtur nga konsumatori, duke e vlerësuar atë si “dëshminë më të mirë”.

Por, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme të “lojërave” me çmime të shumë tregtarëve, pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Nuk pati ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve me çmime as nga premtimet e panumërta të dhëna publikisht të autoriteteve më të larta të vendit për ndërmarrjen e masave ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale me shtimin e numrit të inspektorëve në nivel vendi (deri vonë në mbarë Kosovën kanë qenë të punësuar gjithsej 33 inspektorë). Ndërsa, deri kur do të vazhdojë kjo amulli dhe gjithë këto abuzime tregtarësh, mbetet të shihet./BuletiniEkonomik