Zgjedhjet e (pa)mundura në veri

Sulmi i 24 shtatorit ka zbehur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë situatë të brishtë të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike, qytetarët nuk po shprehin vullnet të rrezojnë kryetarin ashtu siç parashihet me udhëzimin administrative për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë dhe nuk po shihet si efikase kjo metodë.

Kanë kaluar afro një muaj që kur udhëzimi administrativ për zgjedhje në veri është publikuar në Gazetën Zyrtare. Ky udhëzim iu mundëson qytetarëve në komunat veriore të Kosovës, që të nisin procedurat për t’i hapur rrugë largimit të kryetarëve aktual përmes peticionit.

Por që nga 5 shtatori, akoma nuk është shprehur interesim nga qytetarët atje rreth kësaj iniciative. Madje një gjë të tillë e pohoi edhe vet ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi.

Kjo metodë për të mbajtur zgjedhje të reja, nuk po funksionin, sipas profesorit universitar Mazllum Baraliu.

“Ne nuk po shohim që ka ndonjë lëvizje apo vullnet të qytetarëve, para se të bëhet kjo nuk do të kem zgjedhje. Nëse nuk vullnet të qytetarëve, atëherë duhet të mendoj Qeveria, modelin tjetër që kryetarët e tanishëm të japin dorëheqje”, shprehet ish-kryetari i KQZ-së për Tëvë1.

Njohësi i kushtetutës, Baraliu kërkon edhe hetim për përfshirjen e Listës Serbe në sulmin e ndodhur ndaj Policisë së Kosovës.

“Mund të ketë një vendim të organeve kompetente, se a ishte pjesë Lista Serbë pjesë e këtyre ngjarjeve fatkeqe , nëse po, atëherë gjithësisë që pasojnë procedurat përkatës në bazë të ligjit për zgjedhje të përgjithshme nën 14 që duhet të ketë sanksione të caktuar penal”, thotë ai.

Që aktualisht nuk ka klimë për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Visar Xani.

“Derisa nuk ka veprime politike që mund të kontribuojnë në përmirësimin e situatës tani për tani nuk duket një proces që duket në dobi për këto zgjedhje, pasi duhet veprime që janë kompromise politike për përmirësimin e situatës në veri të Kosovës”, shprehet Xani.

Që nga zgjedhja e katër kryetarëve shqiptarë në veri, veçanërisht pasi të njëjtit hynë në objektin komunal, situata në veri është përcjellë me tensione. Pas kësaj, bashkësia ndërkombëtare, kërkoi zgjedhje të reja ndonëse zgjedhjet që nxorën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga vet serbët.