Kryetarët në Veri mbesin në pozita – Franca kërkon zgjedhje të reja, rikujton se ata janë zgjedhur me 3 përqind të votave

Votimi i 23 prillit supozohej të ishte hapi i fundit për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që aq shumë i kërkuan Lista Serbe dhe qytetarët serbë atje, mirëpo këta të fundit e bojkotuan. Kjo pritet t’ia mundësojë kryetarëve shqiptarë që ta çojnë deri në fund mandatin e tyre, të cilin e morën fiks një vit më parë.

Serbët nuk dolën për të votuar për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore. Kusht që votimi të rezultonte i suksesshëm ishte pjesëmarrja minimale prej 50% + 1 person dhe që të gjitha votat të ishin “pro” shkarkimit të Erden Atiqit, Lulzim Hetemit, Izmir Zeqirit e Ilir Pecit.

Të drejtën për votë, të dielën e ushtruan 265 persona, derisa KQZ kishte njoftuar se në katër komunat veriore 46 mijë e 556 persona janë me të drejtë vote.

Dyshimet se ky votim do të dështojë u ngjallën kur Lista Serbe tha se nuk do të marrin pjesë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bëjnë të njëjtën gjë. Dështimi u konfirmua të dielën, kur edhe KQZ tha se nuk është arritur 50 përqindshi i nevojshëm.

“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, të dielën pas mbylljet së vendvotimeve.

Hapi që i parapriu këtij votimit ishte mbledhja e nënshkrimeve për peticion. Qytetarët serbë në secilën komunë veç e veç kishin mbledhur nënshkrimet e 20 për qind të qytetarëve në listë votuese.

Udhëzimi Administrativ që u hartua verën e kaluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal parasheh që nëse nuk arrihet 50%+1 votë për largimin e kryetarëve, një nismë e re nuk mund të merret pa u bërë 12 muaj.

Kjo pritet t’ia mundësojë Atiqit, Hetemit, Zeqirit e Pecit që ta përfundojnë mandatin, pasi që 2025-ta është vit i zgjedhjeve të rregullta lokale.

Kështu ka thënë Eugen Cakollit nga KDI pas lajmërimit të Listës Serbe që s’do të marrin pjesë në votim.

“E duke ditur që 2025-ta është vit i zgjedhjeve të rregullta lokale, të cilat do të duhej të shpalleshin dikur në tre-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, kjo i bie që s’do të mund të kemi më zgjedhje të jashtëzakonshme në ato komuna – të paktën jo si rezultat i shkarkimit të kryetarëve përmes peticionit. Prandaj, dështimi eventual i mini-referendumit për largimin e kryetarëve të komunave veriore, do t’ua “garantojë” praktikisht kryetarëve aktualë përmbylljen e mandatin e rregullt, deri në zgjedhjet e ardhshme, përpos në rast të dorëheqjeve.”

Një thirrje për zgjedhje të reja e bëri përfaqësuesi i Francës në OKB kur foli dje në seancën e Këshillit të Sigurimit. Ai tha po ashtu se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3% të votave do të ishte alternativa më e shpejtë.

“Zgjedhjet duhet të organizohen shpejt në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Në këtë pikë, Franca kujton se tërheqja e kryebashkiakëve të zgjedhur me vetëm 3% të votave të popullsisë së regjistruar do të ishte alternativa më e shpejtë për rivendosjen e demokracisë përfaqësuese në katër bashkitë veriore, si dhe një gjest de-përshkallëzimi” theksoi francezi./REL