Kur Zoti bën mrekulli – mbi një muaj në xhungël, gjenden gjallë 4 fëmijët e aksidentuar me avion

Ndodh mrekullia në Kolumbi. 4 fëmijët e aksidentuar me avion më shumë se një muaj më parë janë gjetur gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore, në pyllin e dendur të Guaviare në Caqueta.

“Ne i gjetëm të gjithë të gjallë,” tha ushtria kolumbiane, mesazh ky që u transmetua me shpejtësi në të gjithë mediat vendase.

4 vëllezërit e vegjël, të moshës 13, 9, 4 vjeç dhe 11 muajsh, i mbijetuan një aksidenti avioni ku humbën jetën 2 pilotët dhe një grua.

Ekipet e shpëtimit kishin gjetur gjurmë të fëmijëve në pyll, por nuk kishin arritur t’i gjenin ata për ditë të tëra.

Më 1 maj, Forcat Ajrore Civile Kolumbiane raportuan se një avion i vogël kishte raportuar vështirësi fluturimi përpara se të humbiste koordinatat. Pas gjashtëmbëdhjetë ditësh kërkime, autoritetet e gjetën avionin Cessna 206, të bllokuar në bimësi. Pranë rrënojave ishin dhe trupat e pajetë të 3 personave, transmeton A2CNN.

Rasti i 4 vëllezërve Mucutuy shkaktoi dhe reagim të madh politik. Kjo pasi më 18 maj, presidenti Pedro shkroi në rrjetet sociale se fëmijët u gjetën, lajm i cili më pas u fshi nën justifikimin se informacioni që kishte marrë nga institucionet përkatëse kish qenë i gabuar.