Kurti mirëpret këshilltaren e BE-së dhe kundërshtaren e zëshme të Borrellit e Lajçakut, Schneeberger

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka njoftuar se sot pati takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

Ajo ka lajmëruar se në takim folën për zhvillimet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.

Schneeberger ka qenë shumë e zëshme me kritika ndaj BE-së pas sulmit terrorist duke fajësuar Borrell dhe Lajçak se e kanë toleruar shumë presidentin serb Vuçiq, që akuzohet nga Kosova se fshihet prapa këtij sulmi.

“Ishte një nder i madh për mua të bisedoja me kryeministrin Albin Kurti për gjendjen aktuale në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjska”, ka shkruar ajo në platformën ‘X’.

Schneeberger ka njoftuar se me Kurtin kanë folur jo vetëm për bisedat që i ka pasur me qytetarët në veri të Kosovës, por edhe për shoqatën e sapothemeluar ‘KosovogoesEU’ dhe projektet e planifikuara për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, me fokus në përfshirjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Politikanja austriake në BE është shprehur edhe kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për çka ka thënë se nuk sheh të ardhme.

“Mendoj se Asociacioni është i rrezikshëm. Është mjet i Vuçiqit për të kontrolluar serbët në veri të vendit. Dhe sipas informatave që posedojmë nuk ka të ardhme për këtë Asociacion”, kishte deklaruar ajo.