Kurti në Izbicë: Prokurorët i kanë pagat e mira, ta shtojnë punën për t’i ndjekur kriminelët e luftës

Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë dhe më pas shkoi në fshatin Izbicë të Skenderajt për t’i përkujtuar 147 viktimat e vrara nga regjimi i Millosheviqit, gjashtë prej të cilëve janë ende të zhdukur.

Së bashku me Rifat Jasharin, ai nderoi të vrarët në masakrën e Izbicës, nga ku tha se “nuk mund të mbyllen plagët përderisa kriminelët nuk janë në burg”.

Pranë Memorialit, Kurti tha se “Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur e sistemi i drejtësisë në përgjithësi edhe për të gjykuar në mungesë”. I përmendi pagat e prokurorëve që tha se “i kanë të mira”.

“Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, me qenë se kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë. Prokurorët i kanë pagat e mira, i kanë gjithashtu edhe kushtet e favorshme të punës. Krejt çfarë kërkohet është vullnet edhe dije, në mënyrë që për këtë masakër dhe për shumë masakra anembanë Kosovës, të cilëve do t’ua shënojmë 25-vjetorin në këtë pranverë, të kemi shumë urdhërdhënës dhe ekzekutorë prapa grilave”, tha Kurti.

Kryeministri tha se “kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar janë të ndërlidhura, andaj Prokuroria e Shtetit duhet të bëjë gjithçka di e mundet”.

“Mbështetjen e Qeverisë së Republikës e ka të plotë, të parezervë e të pa kursim që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë, shqiptarët civilë të vendit tonë, autoktonë që e donin tokën e vetë edhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, ashtu që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët”, tha ai.

Kurti tha se “është jetike që pas dy dekadave e gjysmë të ketë edhe gjykime në mungesë, por edhe të ketë shumëfishim të punës së prokurorëve, të gjyqtarëve, në mënyrë që ata kriminelë të jenë prapa grilave”.

“Sot mundësitë janë më të mëdha, pagat i kanë të larta, kushtet i kanë të mira të punës, krejt çfarë kërkohet është vullnet dhe dije të Prokurorisë së Shtetit”, theksoi ai.