Kurti publikon video pas vizitës në veri: Qeverisja është shërbim pa dallim dhe pa privilegje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës në katër komunat veriore, ka publikuar një video dhe ka treguar për takimet që ka zhvilluar.

Ndër të tjera, ai ka thënë se qeverisja është shërbim pa dallim dhe pa privilegje dhe se republika është e të gjithë qytetarëve.

Postimi i plotë:

Në Leposaviq, Banjskë të Zveçanit, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe në lagjen Kroi i Vitakut.

Patëm takime dhe biseda me kryetarin Lulzim Hetemi, anëtarë të kuvendit komunal të komunës që ai drejton, policë në krye të detyrës në Banjskë, zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin Civil në Zubin Potok, dhe kryetarin Erden Atiqi në Mitrovicë të Veriut.

Sot nuk ishte ditë e zakontë. Në ditëlindjen e 45-të të Heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri, përuruam lapidarin kushtuar atij, në vendin ku heroikisht ra në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011. Përkrah meje ishte djali i tij, Sokoli, e përkrah lapidarit valon flamuri i Republikës.

U ndalëm edhe në vendpunishtet e shtëpive të reja që po ndërtohen me mbështetjen e Qeverisë. Në lagjen Kroi i Vitakut, na mirëpritën pjesëtarë të familjes Avdyli, Istrefi e Behrami që dukeshin aq të ngazëllyer sa edhe shpreheshin të lumtur për shtëpitë e tyre të reja. Një ditë më parë ndamë edhe katër milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok për komunitetet joshumicë në komuna.

Qeverisja është shërbim pa dallim dhe pa privilegje. Republika është e të gjithë qytetarëve. Qeveria jonë është për të gjithë qytetarët.