Kurti: Radoiçiq në vend se të hetohej për Banjskën, merr pjesë në rrahjen brutale të Sanduloviqit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për arrestimin dhe dhunën brutale ndaj politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, Kurti ka thënë se në rrahjen e Sanduloviq ka marrë pjesë edhe organizatori i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, Milan Radoiçiq.

Serbia është vendi ku Radoiçiq, përgjegjës për sulmin në Banjskë, në vend që të përgjigjet para autoriteteve të vendit, merr pjesë në rrahjen brutale të Sanduloviqit. Kështu është rasti, ku krahas torturave, shteti serb ka zgjedhur që të ngrit aktakuzë ndaj tij pas homazheve që bëri në Prekaz të varri i Blerina Jasharit. Kjo flet për mendësinë që fqinj ynë kultivon brenda vetes. Veprimet antidemokratike e pasqyrojnë realitetin e hidhur atje”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Kurti e akuzoi Serbinë gjithashtu se nuk po e respekton Marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve, e cila u arrit në fillim të vitit të kaluar.

Neni një i marrëveshjes thotë që palët, pra Kosova dhe Serbia, do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta. Serbia, megjithatë, zgjedh gjithçka mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira me neve, ajo në të vërtetë zgjedh ta sulmojë Kosovën, siç bëri më 24 shtator 2023 në Banjskë dhe pastaj t’i mbrojë kryerësit e kësaj vepre në krye me Millan Radoiçiqin“, ka thënë Kurti.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e mori përgjegjësinë për kryerjen e sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur vitin e kaluar në veri.

Kosova e ka kërkuar ekstradimin e tij, por Serbia e ka hedhur poshtë këtë mundësi.