Kurti takohet me Sarrazinin, shpalos detaje rreth diskutimeve

Kryeministri Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim, të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në një postim në platformën “X”, Kurti tha se me Sarrazin ka diskutuar për Procesin e Berlinit.

“Sot e takova të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ndërsa Procesi i Berlinit feston 10 vjetorin e tij këtë vit, ai nënvizon rëndësinë e tij si një platformë për bashkëpunim dhe rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve të kaluara, përfshirë lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës”, shkroi Kurti.

Gjatë vizitës, Sarrazin ka takuar presidenten Vjosa Osmani, shoqërinë civile dhe Listën Serbe.

Nga takimi me Listën Serbe, Sarrazin thotë se nuk doli me ndonjë ide të qartë se si ky subjekt serb mund të tërhiqet nga vendimi për të bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore më 21 prill.

“Ky takim nuk më dha shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, ka shtuar emisari gjerman.