Kusari për dinarin: Komunikimi me SHBA vazhdon, është çështje e Kosovës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në deklarimin e saj pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në adresimin për media, Kusari-Lila ka thënë se komunikimi me aleatët po vazhdon, por se kjo është çështje e Kosovës.

“Komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera vazhdon. Por konsideroj se është çështje e Kosovës dhe Kushtetutës. Në raport me ndonjë çështje përmbajtjesore apo vlerash, askush nuk thotë se në Kosovë duhet të ekzistojnë dy valuta”,

Kusari Lila ka thënë se rregullorja e re e BQK-së nuk ka pasur dallime në parim, por vetëm e ka bërë diferencën me afatin kohor të implementimit.

Kusari – Lila ka folur edhe për procedurat pas nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe. Ajo ka thënë se procedurat mund të marrin fund në përfundim të stinës së pranverës.

“Aktualisht KQZ si organi i vetëm zgjedhor po bën verifikimin e nënshkrimeve. Të gjitha fazat janë të parapara me rregulloren në fuqi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Mund të them se në momentin kur të ka verifikim të mirëfilltë, bëhen publike dhe caktohet një proces tjetër që është votimi i mosbesimit të kryetarëve në katër komunat në veri, të cilat duhet të kenë 50+1 vota të qytetarëve dhe pas verifikimit të tyre caktohen proceset zgjedhore”, ka thënë ajo.