Nëna e 4-vjeçares: Në Facebook e pamë që ka vdekë, nuk na kanë larmëru prej spitalit

Nëna e 4-vjeçares, e cila vdiq, tha se kur vajza e saj u nis për tu trajtuar në Prishtinë, autoambulanca nuk e ka marrë me vete, dhe pasi ajo ka vdekur askush nga stafi i spitalit nuk e kanë njoftuar për vdekjen e saj.

“Autoambulanca ka ikur, nuk na ka marrë me vete, ne i thoshim na merr me vete, nuk më kanë marrë. Më thanë; ‘Jo nuk bën’ ”.

“Që vajza na vdekur e kemi marrë vesh në telefona, nuk na kanë treguar. Përmes Facebookut e kanë qitë, as nuk e kam ditur”, shtoi ajo në emisionin “Kosova today” në Klan Kosova.

“Ne nuk kemi ditur asgjë, vajza më ka ndërruar jetë në tetë të mëngjesit, dhe dikur në aksham kur po e shohim se krejt lagjja erdhën te dera. Unë thash çfarë ndodhi, kur po hynë këta po na tregojnë që e kanë qit aty. E kanë pasur numrin e telefonit nuk na kanë lajmëruar”.

Ajo tha se nuk i janë treguar shkaqet e vdekjes së vajzës, veç se në Prishtinë i është thënë që vajza ka virus. Nëna e 4-vjeçares thotë se nuk e di sigurt shkakun e vdekjes, por se një apo dy javë më herët e ndjera i ishte ankuar për dhimbje të barkut.

“Një javë apo dy, para se të ndodhte rasti, vajza është ankuar duke më thënë se ka dhimbje barku, dhe thoshte se ‘bubat po i ecin nëpër bark’”.