Lajçak paralajmëron bisedime të reja e përmend Asociacionin pas takimeve të së enjtes

Ndonëse pritej një takim trepalësh, takimet e së enjtes përfunduan veç e veç, fillimisht kryenegociatori serb, Petar Petkoviq me emisarin Miroslav Lajçak, e më pas edhe me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi. Çka pritet tashmë?

Dje rreth takimit, Lajçak i shkroi veç pak fjalë. Megjithatë, sot përmes një shkrimi në Facebook ai ka dhënë më shumë detaje.

“Të enjten, prita dy kryenegociatorët në Bruksel. Diskutuam një numër çështjesh, statutin, planin e implementimit, energjinë, targat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.” – tha fillimisht ai.

Çka paralajmëroi?

Bisedimet do të vazhdojnë edhe ditëve e javëve në vijim, kështu konfirmoi emisari Lajçak.

“Diskutimet ishin ndihmë për të bërë proges në një numër çështjesh në agjendën tonë të dialogut, dhe pres shumë shpejt një vazhdim. Kështu, planifikoj të vazhdoj bisedimet në ditët dhe në javët në vazhdim.” – u shpreh ai.

Sa i përket Asociacionit, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, për këtë çështje nuk është diskutuar në takimin e tij me Lajçak.

Në agjendë ka qenë si pikë mirëpo ne vetëm i kemi treguar zotit Lajçak që ne kemi një pozicion të qartë të artikuluar me 26 tetor në takimin që zoti Kurti kishte me udhëheqësit Evropian, që ne jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruar së bashku me dy dokumentat tjera të rëndësishme, marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues. Nuk kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e Bashkimit Evropian, prandaj edhe nuk kemi diskutuar.”– u shpreh ai pas përfundimit të takimit.

Petkoviq në anën tjetër, falënderoi disa ekspertë serbë, të cilët sipas tij,“folën qartë për aspektet e draft-Statutit e në veçanti për fuqitë/pushtetet ekzekutive të Asociacionit – planifikimin hapësinor, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe gjënë më të rëndësishme –financimin e tij nga Beogradi”.

Petkoviq s’ju shkëput deklarimeve për “ekspertë” vazhdimisht teksa tha edhe se “eskpertët tanë gjithashtu folën me eskpertë të BE-së për të gjitha pikët në agjendë”.

(…)sepse Asociacioni është një dokument ekstremisht i rëndësishëm për neve dhe ne përkujdesemi për secilën shkronjë të saj, sepse duhet të përfaqësojë tamam kurrizin e Asociacionit sipas marrëveshjeve të 2013 dhe 2015.” – ka thënë Petar Petkoviq.

Ndërkohë, tashmë Qeveria e Kosovës, më konkretisht kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se drafti i ri është i pranueshëm dhe më i avancuar se sa marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj.” – theksoi Kurti gjatë një interviste të martën./Nacionale