LDK i thotë ‘JO’ darkës së Albin Kurtit: Urojmë që punët po ju ecin mbarë, kjo është ftesë e vonuar

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një darkë pune ku Qeveria deklarohej se “do të flasin për agjendën legjislative” të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

Në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurti nga kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, qysh në fillim i uron që punët t’i ecin mbarë.

Më tutje, LDK shprehet se kjo ftesë është e vonuar tashmë kur Kurti gati e ka përfunduar mandatin.

Sipas Abdixhikut, Kurti ka shuar frymën e bashkëpunimit mes pozitës e opozitës.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.” – thuhet në letër.

Tutje, LDK-ja është shprehur:

“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit ku përfaqësuesit tanë politikë i japing edhe qëndrimet tona partiake”.

PDK pranon

Faton Abdullau, zëdhënës i PDK-së, në një përgjigje për Nacionalen, ka konfirmuar ftesën dhe pjesëmarrjen për të hënën.

”Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim.” – ka thënë ai.

Tutje, Abdullahu është shprehur se Krasniqi shkon në këtë takimpër të diskutuar rreth mundësisë së caktimit të datës për zgjedhje të reja.

”Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.” – u shpreh zëdhënësi i PDK-së.

Ftesën në fjalë është duke e shqyrtuar edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt. Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar për Nacionalen se kjo parti ende nuk ka vendosur për takimin.

Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim.” – ka thënë ai.