Llapi fiton për herë të dytë rresht Superkupën “Kosovë-Diasporë“

Skuadra e Llapit e ka fituar për herë të dytë radhazi Superkupën “Kosovë-Diasporë”.

Fituesja e Kupës së Kosovës, të martën, në stadiumin qendror të Kampit Nacional në Hajvali, e ka mundur skuadrën fituese të Kupës së Unionit të Klubeve Shqiptare në Zvicër, FC Kosova Zurich, me rezultat 3:1, transmeton lajmi.net.

Këtë e bëri të ditur vetë faqja e Federatës së Futbollit të Kosovës, përmes një postimi në faqen zyrtare.

Kjo ndeshje zhvillohet tradicionalisht nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Federatën e Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe Unionin e Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, si shenjë mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm që bashkëatdhetarët tanë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për futbollin dhe vendin tonë në përgjithësi.

Të dyja ekipet shfaqën lojë të pëlqyeshme dhe interesante, por që në fund mbizotëroi cilësia e skuadrës së elitës së futbollit tonë. Të parët rrugën e golit e gjetën mysafirët, e golin e shënuar nga Skiavano, por më pas llapajanët e arritën të përmbysin rezultatin me golat e Ilir Krasniqit, Gerhard Prognit dhe Kushtrim Shabanit, duke u kurorëzuar me meritë me këtë trofe për të dytin vit rresht.

Trofeun kapitenit të Llapit, Bujar Idrizi ia ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi, teksa medaljet i ndanë edhe nënkryetari Agim Dibrani dhe kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demolli.