Macron u keqkuptua sepse gaboi përkthyesja – çka tha saktësisht për vizat?

Duket se një gabim i përkthyeses në Tiranë, ka shkaktuar tronditje në skenën politike në Kosovë.

Kjo pasi përkthyesja e ka përcjellur deklaratën e Macron si pezullim i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë në përkthimin e saj e ka sqaruar se Macron nuk ka folur për pezullim. Por, për mbajtje të fjalës së dhënë.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron sipas artikullit të REL.

Kurse, përkthyesja në Shqipëri dha komplet qasje tjetër.

Sipas citatit të publikuar, thuhet se Macron ka deklaruar që vizat për Kosovën janë pezulluar nga ana e Francës, pasi Kosovës iu besuan për çështjen e vizave, por “fjala nuk është mbajtur”.

“Ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në këto komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që presidenti Vuçiç dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të jenë të përgjegjshëm. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave dhe u pezullua nga ana e Francës se ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën.” – citohet se ka thënë ai në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Veç kësaj, Rama ka deklaruar që “i rrëqethet mishi kur mendon që mund të ketë rindalesë në liberalizimin e vizave”.

“Mua më rrënqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave, në anën tjetër, nuk duhet të rrijmë, ta kërkojmë të presidenti i Francës, duhet ta kërkojme të vetja, ta bëjmë ne, ta bëjë Kosova paqen, pjesën e vetë, t’ia lë Serbinë në dorë BE-së e ShBA-së që të merren me të.” – u shpreh ai.