“Marrëveshja çështje javësh”, Kurti hesht për dokumentin që e ka në tavolinë

Përpjekjet e muajve të fundit të BE-së dhe ShBA-së e kanë dinamizuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes dhe emisarët perëndimorë e kanë konfirmuar përkrahjen për propozimin franko-gjerman për këtë proces, ndërsa Qeveria e ka zgjedhur heshtjen ndaj këtij propozimi.

Në mungesë të transparencës nga institucionet e Kosovës për këto zhvillime, të vetmit që nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi këtë propozim, janë qytetarët e Kosovës.

Këta të fundit për procesin po informohen përmes paraqitjeve mediale të ndërmjetësuesve të dialogut, të cilët kanë bërë me dije se palët janë afër marrëveshjes.

Këtë e ka konfirmuar edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Duke u bazuar në deklarimet e evropianëve, ai ka thënë se marrëveshja është çështje javësh.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj, u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke e marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, ka deklaruar ai në një intervistë për “Kanal 10”.

Ditë më parë, për këtë çështje ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se marrëveshja finale mund të kryhet brenda këtij viti.

“Cilindo kryeministër, sepse është çështje e interesit nacional. Ekziston një ofensivë ndërkombëtare për ta përfunduar këtë çështje. Jemi në fazën finale, ditëve apo para javëve të një marrëveshjeje finale. Është e mundshme (para dhjetorit). Besoj që interesi i ndërkombëtarëve është serioz. Ka një kornizë kohore”, ka thënë Haradinaj në “Klan Kosova”.

Ndërsa analisti Baton Haxhiu ka bërë me dije se marrëveshja finale do të marrë formë.

“Kryeministri tha sot në Gjilan se projekti është i lëngshëm dhe ende asgjë s’ka të ngurtësuar. Unë mendoj se lëngshmëria ka ikur dhe ka shumë pak për të biseduar. Kornizës i ka ardhur fundi dhe ka shumë pak javë që projekti do ta marrë formën finale”, ka thënë ai në emisionin “Debat Plus”.

Në një intervistë në “Conflict Zone” në Deutsche Welle, edhe kryeministri Kurti ka thënë se nuk ka shumë kohë për marrëveshjen.

“Pajtohem se nuk kemi shumë kohë dhe se jetojmë në kohëra rreziku dhe paparashikueshmërie. Prandaj, nuk jam i sigurt as që i kemi dy vjet kohë [për marrëveshje]. Duhet që sa më shpejt ta bëjmë atë. Për këtë, jam gati të angazhohem kreativisht dhe konstruktivisht në këto bisedime në Bruksel, kurdo që të na ftojnë”, është shprehur ai.

Kërkohet raportimi i Kurtit në Kuvend për propozimin franko-gjerman
Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri Kurti i ka ftuar në takim liderët opozitare. Këta të fundit, kanë refuzuar të shkojnë në takim, i cili është paraparë të mbahet sot. Vetëm Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për takim.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një videoje në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se kryeministri duhet të raportojë në Kuvend për procesin.

“Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye të na ftoni për çështje teknike, ndërsa kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinionin publik po qarkullon një dokument që e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerë ndërkombëtarë. Po ju po e fshehni këtë fakt prej institucioneve dhe prej qytetarëve. Po ashtu, ju nuk po i tregoni as elementet e atij dokumenti dhe as qëndrimin tuaj për këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, ka thënë Krasniqi.

Për një dokument që ka kryeministri ka folur edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se Albin Kurti posedon një dokument të cilin askush tjetër në Kosovë nuk e ka.

“Kemi parë dokument, por dokumenti i vetëm zyrtar secili ka besim se është i duhuri, është ai që e ka kryeministri në dorë dhe nuk e ka askush tjetër në Kosovë. Në Serbi, aktin e presidentit Vuçiq, ai nuk e ka pranuar, ka thonë “nuk kom nevojë me marrë këtë dokument”. E ka parë dhe i ka thënë emisarëve “nuk kam nevojë me pranu këtë dokument, unë dhe askush në Serbi”, ka deklaruar Haziri në debatin “Politiko”.

Një ditë me parë, gazeta Nacionale publikoi një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin nuk e ka komentuar kryeministri Albin Kurti.

Drafti, i cili është hartuar nga ekspertë gjermanë, parasheh që statuti të këtë një autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës. /Nacionale