“Mrekulli e jashtëzakonshme njerëzore koha që kalova me prindërit më 29 maj”: Hashim Thaçi tregon për përmallimin e tij për familjen

Mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore”, e quajti ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën e tij të parë që nga paraburgimi në Hagë para afro tri vitesh, më 29 maj të këtij viti, kur Dhomat e Specializuara ia kishim miratuar vizitën për arsye shëndetësore të së ëmës së tij.

Ish-Presidenti thotë se atë ditë “koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time” derisa tregon se sa është përmalluar për familjen, prindërit por edhe miqtë e tij.

Në pyetjen e Nacionales se për çka e ka marrë malli më së shumti këto afro tri vite, Thaçi thotë se “për familjen”.

Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj. I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë”, ka thënë ish-Presidenti Thaçi.

Nacionale: Çka ju ka marrë malli më së shumti në Kosovë?

Hashim Thaçi: Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj.

I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë.

E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku.

Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm.

Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë.

Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore.