Muja për Edi Ramën: Dikush t’i thotë të mos flasë shumë për çështjet që nuk i di

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për situatën në veri të Kosovës.

Sipas tij, Rama nuk ka informacion për Kosovën, dhe dikush “në rrethin e tij duhet ta këshillojë të mos flasë për çështje që nuk i di”.

“Unë e shoh që Rama e ndin njëfarë obligimi që të deklarohet çdoherë për Kosovën dhe droja ime e parë kur e dëgjoj unë, edhe atë ditë në konferencën e tij për shtyp, shumë është interesant cektësia mbi të cilën ai e njeh Kosovën. S’ka informacion. Është një lloj atrofie e plotë intelektuale dhe mendoj që dikush në rrethin e tij duhet ta këshillojë të mos flet shumë për çështje që nuk i di. Është për të mirën e tij unë besoj”, deklaroi ai në Tëvë 1.

Kryeministri Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se KFOR-i duhet të rivendosë kontrollin në veri të Kosovës ose do të përballet me dhunë të vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve, teksa është shprehur se me kalimin e kohës “Kosova është bërë tokë e askujt”.