“Nëse nuk tërhiqesh t’vras” – kërcënohet avokati kosovar, tregon se si u ballafaqua me ‘uzurpatorin’

Pas dy dekadash pasluftës në Kosovë, ende vazhdon të jetë problem uzurpimi i pronave. Raste të tilla që trajtohen edhe nga Gjykatat shpesh përcillen me përleshje e kërcënime. Për një rast të tillë një avokat është kërcënuar së fundmi, për çka Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se avokati Vehbi Halili është kërcënuar nga një qytetar, për shkak të përfaqësimit të tij, në një lëndë lidhur me një pronë në fshatin Gllanik të Komunës së Podujevës. Sipas informacioneve të para personi që e ka kërcënuar dyshohet se e ka uzurpuar pronën për të cilën avokati po e përfaqëson një qytetar në Gjykatë.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe vet Halili, i cili ka dhënë detaje për kërcënimin me të cilin u përballë. Sipas tij, i dyshuari B.O., e ka paralajmëruar se “nëse nuk tërhiqesh nga lënda kam me t’vra”.

“Unë me autorizim prej një pronari, nacionaliteti serb. Një uzurpator i fshatit Gllamnik e ka uzurpu një pronë dhe as nuk e lëshon as nuk e lejon me shitë klientin tim. Ai ka ardhë te unë para dy javësh, ia shpejgova anën ligjore e krejt. Ai më tha ti s’guxon me qenë aty, se unë boj çka du, ai s’guxon me ardhë. Dhe më pas dje, derisa ishte me një klient, më ka telefonu, tha pse po shkon me klientin. Nëse nuk tërheqësh kam me t’vra, kam me ta gjetë djalin, e shpinë”, tha Halili për Sinjalin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në lidhje me këtë rast kanë nisur hetimet për veprën penale “Kanosje” teksa i dyshuari ende nuk është kapur.