Pahor: Kam ide për të ringjallur bisedimet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka bërë të ditur se zyra e tij dhe Ministria e Punëve të Jashtme atje, ka shumë të ngjarë që javën e ardhshme ta përcjellin në Bruksel kandidaturën e tij për postin e të dërguarit special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Pahor tha se ka një sërë idesh se si të rifreskohet apo ringjallet dialogu që aktualisht është në ngecje.

Ai beson se Sllovenia, ashtu si ai vetë, ka statusin e “ndërmjetësuesit të ndershëm”.

Pahor tha se po përgatitet për një pozicion të mundshëm “me shumë kujdes dhe përgjegjësi” dhe shtoi se mbështetja që gëzon në Slloveni do të thotë shumë për të, raporton RTV Sllovenia.