Përfundon protesta e veteranëve, protestuesit nisin të shpërndahen

Ka përfunduar protesta paqësore e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët sot kanë kundërshtuar lënien e tyre jashtë Pagës Minimale, ligj ky që u votua në Kuvendin e Kosovës para dy ditësh në një seancë të jashtëzakonshme.

Në këtë protestë kanë folur, Përfaqësuesi i Familjeve të të Pagjeturve Bajram Qerkini, veterani i luftës dhe organizatori i protestës, Avni Ajeti dhe në fund djali i dëshmorit të UÇK-së, Dominik Llashniku.

Bajram Qerkini, përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve, është emocionuar gjatë fjalës së tij në protestën e veteranëve që ka nisur në Prishtinë

Ai iu drejtua pushtetarëve të LVV-së, duke i pyetur se “ku janë ata që ua dha populli 50 për qind të votave”.

“Folni fortë folni shlirë. Kush është ai që s’po i përkrah. O ju që po na udhëheqni, ku jeni more ju që ua dhanë 50 për qind?”, pyeti Qerkini.

Mes tjerash, ai kërkoi që veteranët e UÇK-së të përfshihen në pagën minimale, gjë që nuk ndodhi para disa ditësh kur i njëjti u miratua në Kuvendin e Kosovës, raporton Paparaci.

Gjithashtu, Qerkini u ankua për gjendjen e mjerueshme të veteranëve të UÇK-së. Ai u kërkoi qytetarëve të shohin se çka po u bën Qeveria Kurti atyre.

“Ejani, kthejuni popullit. Leni përrallat që nuk shiten më. S’mundesh me i rrejt ata që i ke rrejtur para 2 vitesh o kryeministër”, tha ai. “Ruanu se ju nuk dini çka është liria. Ju dini veç me rrejt, me na mashtru”, shtoi ai.

“Tmerr po jetojna. Me kënd e keni gëzu lirinë? Kush janë ata që po thojnë veteranët nuk kanë të drejtë me pasë pagë normale, nuk kanë drejtë me jetu? Kush është ai që po na pengon?”. “Asnjë send të mbarë s’po shoh në Kosovë”.

Nga ana tjetër, ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në protestë dhe veteranët e UÇK-së, teksa në prapaskenë u kërkua që Qeveria Kurti të rrëzohet.

Qerkini bashkë me mijëra njerëz të tjerë protestojnë kundër skandaleve të Qeverisë Kurti, kundër koordinimit me Millan Radojçiqin dhe kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.