“Pesë plumba në kokë” – Detaje tronditëse nga aktakuza, kështu e vrau malishevasi kolegun e punës

Prokuroria në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit I.Z., për veprën penale “Vrasja’’ dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka privuar nga jeta të ndjerin A.B.

“Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri I.Z., me dt.20.09.2023 në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin A.B., në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri derisa ka qenë në lokal, vëren të ndjerin se kishte arritur në parking, i pandehuri afrohet tek automjeti i të ndjerit dhe me armën e tipit revolen SIG SAUER –P320, shtënë pesë here në kokën e tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy herë prapë në drejtim të tij përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, derisa i pandehuri largohet me veturë e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në aktakuzë thuhet se gjerë me dt.20.09.2023, në fshatin Bellanicë – Komuna e Malishevës, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armës SIG SAUER – P320, fishek të kalibrit 9×19 mm, në dy pako, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm, me cilën armë ka kryer veprën e përshkruar më lartë, me ç’rast e njëjta armë dhe municioni janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor.

Prokurori i çështjes ka ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.