Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin britanik Abbott

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Gjatë këtij takimi ai falënderoi Abbott për kontributin e tij në ruajtjen e marrëdhënieve të mira në mes të dy vendeve.

Konjufca gjithashtu u shpreh mirënjohës ndaj mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, sidomos përkrahjen ndaj anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Njëkohësisht Abbott, falënderoi Konjufcën për mikpritjen duke treguar edhe  rreth vazhdimit të përkrahjes së shtetit britanik ndaj Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Në takimin e ngrohtë e miqësor, Kryetari Konjufca e falënderoi Ambasadorin Abbott për bashkëpunimin e frytshëm dhe kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve shembullore mes dy vendeve tona mike dhe aleate.

Kryetari i Kuvendit po ashtu shprehu mirënjohje dhe vlerësoi mbështetjen e gjithanshme, koherente dhe të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha proceset e shtetndërtimit, integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Me këtë rast, Ambasadori Abbott e falënderoi Kryetarin Konjufca për mikpritjen dhe ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit britanik për Kosovën.

Duke i cilësuar të veçanta raportet dypalëshe, Kryetari Konjufca dhe Ambasadori Abbott shprehën njëherësh gatishmërinë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.