Peshkaqenët vrasin 2 gra brenda pak orësh në Detin e Kuq të Egjiptit (VIDEO)

Ministria egjiptiane e mjedisit, ka njoftuar se dy gra kanë vdekur si pasojë e sulmeve të peshkaqenëve në Detin e Kuq të Egjiptit, në jug të qytetit Hurghada.

Dy burime i thanë Reuters se trupi i një turisteje rumune në të dyzetat, ishte zbuluar disa orë pas një sulmi që la të vdekur një grua austriake 68-vjeçare.

Një video e shpërndarë në media tregon sulmin e tmerrshëm të së premtes ndaj njërës prej viktimave – austriakes, e cila ishte sulmuar nga peshkaqeni që i kishte këputur krahun dhe këmbën.

Ashtu si gruaja austriake edhe ajo rumune, u gjetën të gjymtuara në brigjet e Sahl Hasheesh.

Ndërsa në deklaratën e dhënë gjatë ditës, ministria ka bërë të ditur se ka formuar një komitet për të shqyrtuar rrethanat e sulmeve dhe çdo arsye shkencore që mund të jetë pas tyre.

Ministria po ashtu bëri të ditur se është dhënë urdhëri për të pezulluar të gjitha aktivitetet në zonën përreth sulmeve, dhe ka mbyllur disa plazhe.

Ndërkohë, një burim në Drejtorinë e Çështjeve Shëndetësore të Detit të Kuq, ka njoftuar për Reuters se viktima e parë ishte transferuar në një spital privat lokal, por e ka humbur jetën pas plagëve të marra.