Petkoviq i kundërpërgjigjet me propagandë Hovenierit: E dimë ku janë kufijtë e Kosovës

Shefit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar ambasadorit të ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili të martën ka deklaruar se nuk duhet të vihet në pyetje se Kosova është shtet sovran dhe se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë.

Mes tjerash, Hovenier u shpreh se “ne e dimë saktësisht ku është kufiri”, teksa shtoi se ShBA-të e njohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe demokratik.

Mirëpo duke propaganduar, Petkoviq u shpreh se ai e di e mirë se ku janë kufijtë e Kosovës, transmeton Paparaci.

Në imagjinatën e Petkoviqit, “kufijtë e Kosovës janë të Serbisë”, ndonëse Republika e Kosovës shpalli Pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, dhe si e tillë njihet nga ShBA-të dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.

”Ne e dimë mirë [ambasada e ShBA-së në Kosovë] ku janë kufijtë në Kosovë, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, shkroi Petkoviq në Twitter.

Hovenier, ka deklaruar se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.

“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë”, tha ai.

“Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”.