Presioni për dinarin, Rohde, Guerot dhe De Riu i shkojnë Kurtit në Qeveri

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ai francez, Olivier Guerot dhe ambasadori i Italisë, Antonello De Riu, kanë shkuar në Qeveri.

Tre diplomatët pritet të kenë takim me kryeministrin Albin Kurti, shkruan EO.

Ky takim i tyre me kryeministrin vjen në vazhdën e takimeve dhe kërkesave të njëpasnjëshme të ndërkombëtareve për suspendimin e Rregullores së re të BQK-së për çështjen e dinarit.

Bashkësia ndërkombëtare u shpreh e shqetësuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës dhe t’i rrisë tensionet etnike.

Për rrjedhojë, autoriteteve të Kosovës iu kërkua që ta shtyjnë zbatimin e saj.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha më 15 shkurt se vendimi për të ndaluar dinarin serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Edhe ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, tha më 13 shkurt se Qeveria e Kosovës vuri në pikëpyetje partneritetin e saj me SHBA-në, për shkak të vendimit për ndalimin e dinarit serb.