“Prishtina të respektojë zotimet, si dhe zgjedhjet në komunat me shumicë serbe” – Deklarata e Macron për Kosovën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Parisi do të sigurohet që çdo hap i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë, do të përmbushet.

Gjatë konferencës për media, para takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.

Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, tha Macron.

Udhëheqësi francez po ashtu tha se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha Macron.